Youtube/Tezkije
Aspekte të lëshimeve dhe gabimeve në edukimin e fëmijëve (III)
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 06.06.2014

(... artikulli paraprak)

7. Rigoroziteti dhe ashpërsia ndaj tyre përtej nevojës

Ose duke i rrahur ata në mënyrë torturuese kur bëjnë ndonjë gabim, edhe nëse është hera e parë, ose duke i qortuar dhe tërhequr vërejtjen atyre më shumë se që duhet për çdo gabim të vogël apo të madh; apo ngjyrime tjera të rigorozitetit dhe ashpërsisë.

8. Koprracia e tepërt ndaj tyre

Disa prej baballarëve kursejnë ndaj fëmijëve të tyre përtej nevojës, gjë që i bën ata të ndjehen të mangët dhe të ndjehen nevojtar, e ndoshta kjo edhe i drejton kah kërkimi i pasurisë në këtë apo atë mënyrë, qoftë përmes vjedhjes apo lypjes prej njerëzve, apo përmes përuljes e nënçmimit në foletë e shoqërive të këqija dhe njerëzve të shthurjes.

9. Privimi i tyre prej butësisë, dhembshurisë dhe ndjeshmërisë

Gjë që i bën ata ta kërkojnë këtë gjë jashtë shtëpisë së tyre; ndoshta edhe do ta gjejnë dikë që i bën ata të ndjehen të këtillë.

10. Përkujdesja vetëm për dukjen e jashtme

Për shumë njerëz edukimi i mirë kufizohet në ushqim të shëndetshëm, pije të këndshme, rroba luksoze, studime në shkolla prestigjioze, paraqitje para njerëzve me një pamje të mirë, ndërkohë që ata nuk e kanë futur në programin e tyre ngritjen e fëmiut sipas parimeve të çiltra fetare dhe edukatës fisnike.

11. Teprimi në mendimin e mirë për fëmijët

Disa prej prindërve e teprojnë në të menduarit mirë për fëmijët e tyre, kështu që e sheh se ai nuk pyet asnjëherë për fëmijët e tij, nuk e inspekton gjendjen e tyre dhe nuk ka asnjë njohuri për shokët e tij, e gjithë kjo si pasojë e besimit të tepërt që ka tek ta; Prandaj, vëren se ai nuk pranon asnjë kritikë qoftë obligative apo vullnetare në raport me fëmijët e tij. E kur fëmijët e tij i godet ndonjë fatkeqësi, apo ndonjërin prej tyre, apo kur devijon nga rruga e drejt dhe babai njoftohet për këtë, atëherë fillon t’i mbrojë ata e të kërkojë çdo arsyetim për ta, ndërsa ata që e kanë njoftuar apo këshilluar për këtë i akuzon se po i stërmadhojnë gjërat, po nguten dhe po fusin hundët në atë që nuk u përket atyre.

12. Teprimi në mendimin e keq për ta

Kjo është e kundërta e së mësipërmes. Këtu futen ata që kanë mendim të keq për fëmijët e tyre dhe e teprojnë aq shumë në këtë aspekt sa që i tejkalojnë kufijtë e normales. Vëren se ai nënçmon qëllimet e tyre dhe asnjëherë nuk u beson atyre, dhe i bën ata të ndihen se prindi është duke i përcjellë ata në çfarëdo vepre të madhe apo të vogël që e bëjnë ata, pa lëshuar pe në ndonjë prej rrëshqitjeve apo gabimeve të tyre.

(… vazhdon)

Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja