Youtube/Tezkije
Çfarë nënkupton sprova e zemrave?
Nasir el Umer
 20.09.2013

Zemrat tona –vëllezër dhe motra– sprovohen mëngjes e mbrëmje, në çdo çast të jetës. Pra, a po i kushtojmë vëmendjen e duhur, pasi që një shkujdesje e vetme mund të jetë  e mjaftueshme që zemra të pushojë së funksionuari dhe që veprat e saj të shpërbëhen.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në kraharorët tuaj dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Vërtet, Allahu e di mirë se ç’keni në zemër.”[1]

“Vërtet, ata që ulin zërin në prani të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh.”[2]

Po cilat janë zemrat që Allahu i ka kalitur për besim dhe përkushtim?
Ajeti i mësipërm u shpall faktikisht për arsye se dy shokët më të mirë të Profetit Muhamed, Ebu Bekri dhe Omeri -Allahu qoftë i kënaqur me ta-, e ngritën zërin në prani të  Dërguarit të Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-.  Në librin e Imam Buhariut transmetohet nga Abdulla Ibën Zubejri -Allahu qoftë i kënaqur me të- se, një grup burrash nga fisi Beni Temim shkuan tek Pejgamberi -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-.

Ebu Bekri sygjëron: -'Cakto Kaeka Ibn Ma'bad prijës të tyre'.

Omeri kundërshton: -'Jo, cakto Akra Ibn Habis'.

Ebu Bekri i kundërpërgjigjet: -'Thjesht dëshiron të më kundërshtosh'.

Omeri:-'Nuk desha të të kundërshtoj'.

Gjatë diskutimit u dëgjuan tone të larta nga të dy palët, për këtë arsye u shpall ajeti fisnik:

O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm.”[3] [4]

E pra lajkat nuk kanë vend në këtë fe.

O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare.[5]

I pastër nga të metat është Allahu! Qëndrim ky që për syrin e shumicës nuk ka shumë rëndësi. Cili nga shokët e Profetit u kërcënua në këtë ajet? Ebu Bekri, për të cilin i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë: “Nëse do të konsideroja mik dikënd nga umeti im, ai do të ishte Ebu Bekri.”[6] Gjithashtu Omeri, për të cilin i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit gjëndet shpirti im, sa herë që shejtani përballet me ty në një rrugicë, e ndërron atë dhe merr një rrugicë tjetër.”[7]
Mirëpo ata u penduan, kërkuan falje dhe u betuan të mos i flasin të Dërguarit të Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-  veçse fshehtazi.

Ky është pra rezultati: Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh.[8]

Pra, zemrat e tyre i kaliti me besim dhe përkushtim, kështu janë të përshtatshme vetëm për të.[9]

Një qëndrim i dy burrave më të mirë të umetit të Muhamedit -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të-, -që në sytë tanë konsiderohet i lehtë-, ishte arsyeja për të cilën u sprovuan si rrjedhojë e një shkujdesje të nxituar.

Po për gjëndjen tonë, çfarë mund të themi?

Sa herë kemi dështuar pa e ndjerë aspak?!

Medito ç'sekret të padëgjuar ndonjëherë fsheh fjala e Allahut: “… pa e ndjerë ju fare.” [10] Pra  veprat e njeriut mund të zhvlerësohen pa e ndjerë. Ndonjëherë njeriu nuk arrin ta kuptojë se si mund të zhvlerësohen veprat e mira si arsye e një vepre të vetme, të cilës  nuk i kushton aspak rëndësi.
Sa vepra apo fjalë ishin arsyeja e dështimit të shumë njerëzve, gjë të cilën këta të fundit as që e kishin menduar?
Nëse ngritja e tonit në prezencë të Dërguarit të Allahut, gati sa nuk i zhvlerësoi veprat e Ebu Bekrit dhe Omerit -Allahu qoftë i kënaqur me ta-, ç’mund të themi për ata të cilët e ngrejnë zërin e tyre mbi zërin e të vërtetës?!  Ata të cilët propagandojnë zbatimin e ligjeve të shpikura nga njerëzit para ligjit të Allahut, të cilët armiqësojnë dhe përkrahin në emër të djallit.

Le ta qartësojmë edhe më tepër domethënien e shprehjes “Sprova e zemrave”, duke medituar hadithin madhështor të cilin e transmeton Hudhejfe Ibën Jeman -Allahu qoftë i kënaqur me të-, ku i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- thotë: “Do të paraqiten sprovat e zemrës, si fijet e rrogozit[11] një nga një, cilado zëmër që i pranon ato, i shënohet një pikë e zezë, ndërsa zemrat që i refuzojnë ato, i shënohet një pikë e bardhë, derisa zemrat ndahen në dy grupe: zemër e bardhë si xhami i pastër, e cila  nuk  dëmtohet nga sprovat sa të ekzistojnë Qiejt dhe Toka, dhe zemër e zezë si gota e përmbysur që nuk kupton asgjë nga e vërteta dhe as që e refuzon të kotën, por ushqehet vetëm me epshe.”[12]

Allahu i bëftë zemrat tona të bardha, dhe i pastroftë nga mëkatet, veprat e pista dhe dyshimet. Hadithi i mësipërm është shpreh me një folje në kohën e tashme (shfaqen), gjë që nënkupton se sprovat dhe telashet do të jenë të vazhdueshme. Pra, sprovat nuk do të shfaqen të gjitha përnjëherë, por pak nga pak, derisa zemra të nxihet (Allahu na ruajt), ose të shpëtojë me mirësinë e Allahu dhe të dalë me sukses në përfundim të sprovës, dhe vetëm atëherë sprovat nuk do ta dëmtojnë sa të ekzistojnë Qiejt dhe Toka.

Dijetari i shquar Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Egoja të nxit për tirani dhe të pëlqesh më shumë jetën e kësaj Bote, Zoti e fton robin e Tij  t’i frikësohet, dhe ta frenojë veten prej epsheve, ndërsa zemra gjëndet mes dy thirrjeve[13], kjo pra është sprova dhe testi.

Vërejtje:
Duhet patjetër të sqarojmë se, disa vëllezër që angazhohen me propagandë fetare, ose  studime, pretendojnë se qëllimi i vërtetë i sprovave kufizohet: 1) dëmtim trupor si; burgimi,  keqtrajtimi, arrestimi, vrasja etj.  2) dëmtim psikologjik si; ndërprerja e marrëdhënieve, mosinteresimi, përçmimi, injorimi etj. Sigurisht që kufizimi i sprovës trajtuar nga këndvështrimi i mësipërm është i cunguar,  ndërsa në realitet sprovat dhe telashet më të mëdha konsiderohen sprovat e zemrës. Sa njerëz i kanë kaluar me sukses sprovat dhe torturat e ndryshme, por që nuk i kanë rezistuar sprovës së zemrës duke dështuar totalisht! Kjo është arsyeja e cila i nxiste dijetarët e thelluar në dituri të luteshin duke thënë: (Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh![14]

Le ta mbyllim këtë parathënie lidhur me domethënien e sprovës së zemrës, me këtë ftesë hyjnore që i drejtohet besimtarëve, e cila zgjon sensin e frikës dhe paralajmërimit: 

O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë![15]

E lusim Allahun të na ndihmojë dhe mundësojë  t’i përgjigjemi Atij dhe të Dërguarit të Tij, t'i ringjallë zemrat tona, dhe të mos lejojë që mëkatet të shkaktojnë ndarjen mes trupit dhe zemrës. Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm Atij i takon i gjithë pushteti!



[1] Surja Ali Imran, ajeti 154

[2] Surja Huxhurat, ajeti 3

[3] Surja Huxhurat, ajeti 1

[4] Buhariu (147/9)

[5] Surja Huxhurat, ajeti 2

[6] Buhariu (588/1) dhe Muslimi (1856/4)

[7] Buhariu (339/6) dhe Muslimi (1863/4)

[8] Surja Huxhurat, ajeti 3

[9] Imam Alusi në tefsrin e ajetit thotë: “I ka kalitur për besim e përkushtim, i bëri të sinqerta dhe të denja për devotshmëri, ose i bëri të denja për devotshmëri duke mos i dhënë mundësi asgjëje tjetër përveç saj.  Pra zemrat u përshtatën për të qenë pronë e devotshmërisë. (Shiko tefsirin e Sures Huxhurat në ‘Ruh el-Meanij).

[10] Surja Huxhurat, ajeti 2

[11] Rrogoz. Thurimë e gjatë dhe e gjërë, e punuar me kashtë plishi e me xunkth, që shtrohet përdhe për të ndenjur. Hasër.

[12] Muslimi (128-129/1)

[13] Shikoje librin “Sëmundjet e zemrës dhe ilaçi i saj”

[14] Surja Ali Imran, ajeti 8

[15] Surja Enfal, ajeti 24

...vazhdon (Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja