Vërtetë meditimi i Kur’anit Fisnik është gjëja më e madhe që drejton kah madhërimi i Allahut të Lartësuar, gjë e cila është vetë qëllimi i krijimit; i Lartësuari tha: “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Talak, 12) Pastaj, Zoti ynë i Lartmadhëruar ka urdhëruar për ta madhëruar dhe lavdëruar Atë, duke thënë: “dhe Zotin tënd madhëroje!” (Mudethir, 3), që do të thotë: Madhëroje Atë përmes Teuhidit[1] dhe adhurimit.
Esenca e adhurimit të Tij, qoftë i Lartësuar, është njohja e Tij sipas asaj me të cilën e ka përshkruar Veten e Tij në Librin e Tij, dhe sipas asaj me të cilën e ka cilësuar i dërguari i Tij ﷺ; Lavdiploti ka thënë: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di se si silleni ju dhe ku qëndroni.” (Muhamed, 19)[2]
Pastaj, Allahu i Lartësuar e ka nënçmuar atë i cili nuk e vlerëson Atë siç i përket Atij, dhe nuk e madhëron Atë me madhërim të vërtetë; prandaj ka thënë: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut.” (Zumer, 67) Allahu i Lartësuar i ka përmendur këto fjalë (Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut) në tri vende, ashtu që t’ia atribuojë Vetes së Tij madhështinë, dhe gjithë çfarë meriton Ai prej cilësive; dhe për t’ia atribuuar Vetes së Tij Njëshmërinë – se askush nuk e meriton adhurimin përveç Atij; dhe për ta përforcuar atë që ia ka zbritur Profetit të Tij, prandaj ka thënë në suren Zumer: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij,...” (Zumer, 67) Gjithashtu në suren Haxh tha: “I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli). Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë.” (Haxh, 73-74). Ndërsa në suren En’amë: “Ata nuk e vlerësojnë siç duhet Allahun, kur thonë: “Allahu nuk i ka zbritur asgjë njeriut.” (En’amë, 91)
Pra, në secilën prej këtyre tri vendeve i ka nënçmuar pabesimtarët, të cilët nuk e kanë vlerësuar Atë ashtu siç i përket Atij, duke treguar se besimtari e ka obligim ta madhërojë Allahun ashtu siç Atij i ka hije, e gjithashtu obligohet që t’ia ketë dronë Atij ashtu siç i përket, e gjithashtu të luftojë (përpiqet) drejt Tij me një përpjekje të vërtetë; Lavdiploti ka thënë: “Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar.” (Haxh, 78) E gjithashtu ka thënë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij ...!” (Ali Imranë, 102)
Ajeti gjithashtu na mësoi se Atij i përket një madhështi e pashoqe, e kjo veçanërisht është cekur në ajetin: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij.” (Zumer, 67). [3]
Në dy librat e saktë, nga Abdullah ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se ka thënë: “Erdhi një shkollar prift tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha atij: “O Muhamed!” apo “O Ebul-Kasim!”[4] Allahu i Lartësuar, në Ditën e Gjykimit i mban qiejt me një gisht, tokat me një gisht, malet dhe drunjtë me një gisht, ujin dhe baltën me një gisht, dhe gjithë krijesat tjera me një gisht, pastaj i shkundë ato, dhe thotë: “Unë jam Sunduesi Suprem! Unë jam Sunduesi Suprem!” Ndërsa Profeti ﷺ qeshi i habitur me atë çfarë tha prifti, dhe si pohim i asaj çfarë tha; pastaj lexoi: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Zumer, 67)[5]
Gjithashtu në sahihajn, përcillet nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar në Ditën e Gjykimit i palosë qiejt, pastaj i merr ato me dorën e Tij të djathtë dhe thotë: “Unë jam Sunduesi Suprem! Ku janë arrogantët?! Ku janë mendjemëdhenjtë?! Pastaj i merr tokat me të majtën e Tij dhe thotë: “Unë jam Sunduesi Suprem! Ku janë arrogantët?! Ku janë mendjemëdhenjtë?!”[6]
Pra, përmes kësaj na u bë e qartë se gjëja e cila më së shumti e bën zemrën të ndjejë madhështinë dhe fisnikërinë e Allahut, frikë-respektin dhe dashurinë ndaj Tij, është meditimi i Kur’anit. Pra, ai është çelësi i çdo shkence; përmes tij shtohet imani dhe qartësohen kuptimet. Zoti ynë, i Gjalli, Mbajtësi i gjithçkaje, thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (Enfalë, 2).
Prej margaritarëve që janë përcjellë nga imam Axhurri (Allahu e mëshiroftë) është se ka thënë: “A nuk po e shihni – Allahu ju mëshiroftë – se si Zoti juaj Bujar i ka nxitur krijesat e Tij që ta meditojnë Fjalën e Tij?! E ai që e ka medituar Fjalën e Tij e ka njohur Zotin Lavdiplotë, e ka njohur madhështinë e pushtetit të Tij dhe fuqisë së Tij, e ka kuptuar madhështinë e asaj që Ai u ka dhuruar besimtarëve, e ka njohur se me çfarë është obliguar ai prej adhurimeve prandaj edhe i ka marrë përsipër ato; është ruajtur nga ajo prej së cilës na ka tërhequr vërejtjen Zoti ynë Bujar, dhe ka lakmuar atë për të cilën Ai na ka nxitur. Prandaj, kushdo që në vete i mban këto cilësi gjatë leximit të Kur’anit, apo gjatë dëgjimit të tij nga të tjerët, Kur’ani do të bëhet për të shërim, do të ndihet i panevojshëm pa pasur nevojë për pasuri, do të ndihet krenar pa pasur nevojë për farefis, do të gjejë prehje në gjëra nga të cilat të tjerët ndjejnë vështirësi, dhe brenga e tij e vetme gjatë leximit të tij të ndonjë sureje pasi që ka filluar atë do të jetë se kur do të kem mundësinë e parë për të marrë mësim nga ajo që po lexojë? Dhe kështu, asnjëherë nuk ndodhë që brenga e tij të jetë se kur do ta mbarojë suren. Përkundrazi, ai mendon se kur do të arrijë ta marri vesh fjalën që ia ka drejtuar Allahu? Kur do ta arrijë vetëpërmbajtjen? Kur do të marrë mësim? Sepse leximi i tij i Kur’anit është adhurim, ndërsa adhurimin s’ka mundësi ta kaplojë pakujdesia! E Allahu është Ai që jep çdo sukses!”[7]
(... vazhdon)
Përshtati nga gjuha arabe, Hekuran Helshani.
[1] Teuhid – Të adhuruarit e Allahut të Vetëm dhe të Pashoq; Njësim; Njëshmëri.
[2] Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë), në Sahihun e tij, këto ajete i ka titulluar “Kaptina: Dituria është para fjalës dhe veprës, për shkak se Allahu ka thënë: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut!”, pra ka filluar me dijen.” Ndërsa dijetari Muhamed ibn Abdulvehabi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në librin e tij “Tri themelet:” “Ka filluar me dijen para fjalës dhe veprës.”
[3] “Mexhmu’ul-fetava,” 13/160-161.
[4] Një prej emrave të Pejgamberit ﷺ ishte edhe Ebu el-Kasim
[5] Këtë e përcjellë Buhariu në “Tefsir,” kaptina: “Fjala e Tij: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut,” (Zumer, 67), numër 4811; dhe Muslimi, prej të cilit është marrë teksti i mësipërm, në kaptinat rreth cilësive të Ditës së Kijametit, Xhenetit dhe Zjarrit, me numër 2786.
[6] E përcjellë Buhariu duke u argumentuar me të për metodën pohuese që është përdorur për Teuhidin, në kaptinën rreth Fjalës së Allahut: “Atë që e kam krijuar me të dy duart e Mia,” (Sadë, 75), numër 7413; dhe Muslimi, prej të cilit është marrë teksti i mësipërm, në kaptinat rreth cilësive të Ditës së Kijametit, Xhenetit dhe Zjarrit, me numër 2788.
[7] “Edukata e bartësit të Kur’anit,” fq. 36-37.