Dr. Ahmed el Kadi
Besimi në Allahun nënkupton bindjen e palëkundshme se Ai, i Lartësuari, ekziston dhe se është Zot i çdo gjëje. Ai është i Vetmi që e meriton adhurimin. Ai është i cilësuar me atribute të plota dhe është i pastër e i dëlirë nga atributet e mangëta.
Në besimin në Allahun përfshihen katër gjëra:
I. Besimi në ekzistimin e Tij
Besimi në ekzistimin e Allahut të Lartësuar është e vërteta më e madhe: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i Vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është më i Lartësuari dhe më i Madhërishmi.” (El Haxh, 62) Dyshimi në ekzistimin e Tij është mëdyshje dhe refuzim: “Të dërguarit e tyre u thanë: “Vallë, a mund të dyshohet në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?! Ai ju thërret për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin e caktuar.” (Ibrahim, 10) Mohimi i ekzistencës së Tij është mendjemadhësi, padrejtësi dhe kufër (mohim): “(Musai) tha: “Tashmë ti e di se këto nuk i ka shpallur askush tjetër, përveç Zotit të qiellit dhe të Tokës, si prova të dukshme dhe Unë jam i bindur, o Faraon, se ti je i dënuar në humbje.” (El Isra, 102) Allahu i Lartësuar thotë: “Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Musai) iu përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje.” (Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!” Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.” (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur.” (Musai) tha: “Zoti i lindjes dhe i perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni. (Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!” (Esh Shuara, 23-29)
Ekzistimin e Allahut të Lartësuar e argumentojnë disa gjëra, si:
(Vazhdon...)