Rastet ku zemra mund të sprovohet janë të shumta, ne do të përmendim kalimthi vetëm disa prej tyre. Do të trajtojmë disa raste duke hedhur poshtë kështu pretendimin e disa njerëzve të cilët mendojnë se zemrat sprovohen vetëm nga pasionet dhe mëkatet, ndërkohë që e vërteta është krejtësisht ndryshe. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.”[1]
Ja disa nga këto raste:[2]
1. Adhurimi
Shembuj adhurimesh: namazi, lëmosha, agjërimi, haxhi etj, konsiderohen sprova për zemrën, pasiqë këtu vërtetohet sinqeriteti për Allahun, pa i kushtuar rëndësi prezencës së njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.”[3]
Ndërsa në një hadith përmendet: “Ruhuni nga shirku i fshehtë! Thanë: “O i dërguar i Allahut çfarë është shirku i fshehtë? Tha: “Një person përgatitet të falet në prezencë të njerëzve, pasi vëren se ata janë duke i kushtuar vëmendje, ky konsiderohet shirk i fshehtë”.[4]
Gjatë adhurimeve zemra sprovohet, pasur parasysh nivelin e përsosjes së veprave si dhe realizimin e tyre sipas këshillave të dërguarit të Allahut, si dhe shkallën e devocionit që arrihet përmes tyre. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “por arrin përkushtimi juaj.”[5]
Mund të themi gjithashtu se kjo konsiderohet pjesa më e lehtë e sprovës lidhur me trajtesën e mëparshme.
2. Dituria
Dituria konsiderohet nga hapësirat ku më së shumti sprovohet zemra. Sa njerëz kanë dështuar në këtë provim?! Shumë prej tyre ishin të sinqertë në fillimet e studimit, por pastaj qëllimi i tyre i sinqertë u shndërrua në një pasion të fshehur; etje për pozitë, famë, lidership, ndjenjë superioriteti, hipokrizi, polemikë, shpifje ndaj kundërshtarit etj.
Në një hadith qëndron: “Kush e mëson diturinë me të cilën shpresohet kënaqësia e Allahut, me arsyen që të përfitojë diçka nga të mirat e kësaj Bote, nuk do ta ndjejë aromën e Xhenetit Ditën e Gjykimit".[6]
3. Propaganda
Propaganda konsiderohet një fushë akoma më e gjërë se dituria dhe rastet e sprovave konsiderohen të panumërta. Njerëzit e angazhuar me propagandë fetare hasin më shumë vështirësi dhe konsiderohen më të sprovuarit në këtë aspekt. Pasioni për orientimin e masave, fama, mbivlerësimi i vetes etj, konsiderohen sprova të rrezikshme që propagandën mund ta shndërrojnë në sprovë (Allahu na ruajt) dhe tërheqje prej saj, ndërsa zhvillimi i saj larg fokusit dhe synimit të kënaqësisë së Allahut do të konsiderohej më pas një sëmundje e pashërueshme.
4. Mospajtimet dhe polemikat
Këto konsiderohen vatrat e shejtanit dhe livadhet e tij, për këtë arsye Allahu na ka paralajmëruar në Kuran duke sjellur shembuj për metodën e dialogut. Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”[7]
Diskutimi fillimisht mund të jetë i motivuar nga qëllime të sinqerta, si: triumfimi i të vërtetës, por përgjatë tij qëllimi mund të devijojë në synime personale, këtu fshihet dhe sëmundja. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë.”[8]
Të vërtetën ka thënë Ibn Mes’udi -Allahu qoftë i kënaqur me të-: "Polemika është e dëmshme."
5. Pasionet
Jo pa qëllim e rendita këtu, pasi shumica e njerëzve bien shpesh pre e pasioneve të tyre si: pasuria, automjetet, femrat, fëmijët etj, të cilat padyshim renditen mes sprovave:
“Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju.”[9]
Gjithashtu i Dërguari i Allahut -Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë për të- ka thënë: “Dynjaja është e bukur, e gjelbër dhe Allahu do t’ju vendosë mëkëmbës në të që të vështrojë si do të silleni, prandaj kini kujdes në këtë Botë dhe ruhuni prej femrave, sepse sprova e parë e Beni Israilëve ishin femrat.”[10] Sprova e lartpërmendur konsiderohet sëmundja më e rëndë dhe gëzon ndikimin më negativ të zemrës.
6. Dyshimet dhe sprovat
Këto konsiderohen dy nga hapësirat më të mëdha të cilat shkaktojnë sëmundjet e zemrës siç do t’i sqarojmë në vazhdim.
7. Dëshira për pozitë
Sa njerëz kanë ndryshuar e sa zemra i ka kapluar urrejtja pikërisht për shkak të dashurisë së postit prej të cilës vetëm pak njerëz shpëtojnë. Xhelozia, urrejtja, mendimi i keq për tjerët, të gjitha këto sëmundje në shumicën e rasteve lindin si pasojë e dëshirës për pozitë.
8. Krenaria me prejardhje dhe fama
Kjo është fusha ku çelin shumica e sëmundjeve dhe ligësive të zemrës. Epërsia, krenaria, mendjemadhësia etj, shfaqen në këtë fushë, aty mbillen dhe po aty japin frutat.
Tani është e nevojshme të sqarojmë disa sëmundje dhe ligësi me të cilat sprovohet zemra, por fillimisht do të japim disa udhëzime.
[1] Surja Enbija, ajeti 35
[2] Rastet nuk konsiderohen shkaqe, ato janë më të përgjithshme, sepse dituria konsiderohet rast jo shkak, ndërsa pasioni konsiderohet rast dhe shkak.
[3] Surja Furkan, ajeti 23
[4] E bëri sahih Ibn Huzejme
[5] Surja Haxh, ajeti 37
[6] Ebu Davudi (15/349), Ibën Maxhe (1/93) dhe Tirmidhiu kanë thënë hadithi është hasen
[7] Surja Nahl, ajeti 125
[8] Surja Ankebut, ajeti 46
[9] Surja Tegabun, ajeti 15
[10] Muslimi nga Ebu Said el-Hudrij (2098/4)
...vazhdon (Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)