Youtube/Tezkije
Përçarja midis besimtarëve, shkaqet dhe pasojat!
Hekuran Helshani
 09.01.2016

 
بسم الله الرحمن الرحيم
Në këtë shkrim, me lejen e Allahut, do të mundohem të sjell para lexuesit ata çfarë pata mundësi të përfitoja nga ligjërata e dijetarit të njohur, komentuesit të Kur’anit, njeriut me përvojë aq të gjatë në fushën e davetit Islam, Dr. Nasir el-Umer (Allahu e ruajtë!), të cilën e mbajti në qytetin e Burejdes, në Kasim, Arabi Saudite. Kam sjellur këtu pikat kryesore të cilat hoxha i nderuar i ka shtjelluar në ligjëratën e tij, të cilën siç e ceku në fillim të ligjëratës, e kishte përgatitur për vite të tëra, gjë që gjithashtu dëshmon për kujdesin dhe brengën e tij të madhe për këtë çështje mjaft delikate që ekziston në mesin e muslimanëve. E njëkohësisht dua ta cekë që në këtë shkrim kam shtuar aty këtu ndonjë shpjegim të nevojshëm duke marrë në konsideratë gjendjen dhe përgatitjen e lexuesit. Allahu e lus të më falë për çdo lëshim apo gabim të mundshëm i cili padyshim se vjen prej veteve tona apo prej shejtanit të mallkuar. Pastaj ... 
Jemi mësuar të shohim se vëllezërit muslimanë kur bisedojnë rreth çështjes së bashkimit shikojnë rreth e rrotull se sa janë duke i marrë shkaqet apo sebepet e bashkimit me njëri tjetrin, duke harruar se këto shkaqe a çojnë me të vërtetë në bashkim apo janë shkaqe të cilat kanë nevojë edhe për një shtytës tjetër për tu bërë funksionale. A thua pse vallë ka ndodhur te disa prej të parëve tanë të devotshëm që kur e ka parë një njeri në rrugë ka thënë: “Jam i bindur se ky person më urren mua!” E kur e pyetën se pse e thotë këtë, ai ua ktheu: “Sepse zemra ime e refuzon dhe nuk e do atë.” 
Nuk është e rastësishme pse Allahu e ka përmendur në Kur’an se lidhja dhe bashkimi mes muslimanëve qëndron tek lidhja me Allahun, gjë që detyrimisht çon në lidhjen e zemrave. Në suren el-Enfalë, gjegjësisht në ajetin gjashtëdhjetë e tre, Allahu i Lartësuar tha : “dhe Ai i bashkoi zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ata. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” Ta vëmë re se në këtë ajet, Allahu i Lartësuar fillimisht e vuri theksin në bashkimin e zemrave, kurse në fund tha: “por Allahu i bashkoi ata,” e jo “ato” – zemrat. Hoxha i nderuar gjatë shpjegimit të këtij ajeti thotë se Allahu përmendi fillimisht bashkimin e zemrave dhe faktin se ato i bashkoi Allahu Fuqiplotë, pastaj kontekstualisht na tregoi se pasi që zemrat e tyre tashmë u bashkuan, rrjedhimisht ndodhi edhe bashkimi i tyre, ose më qartë bashkimi i tyre edhe me trupat e tyre. E kjo pra ishte arsyeja pse të parët e devotshëm nga selefi, duke qenë se kishin zemra “me rreze te forta veprimi,” arritën ta kuptonin fare mirë se cilat zemra përputheshin në “frekuenca” me zemrat e tyre, prandaj e kishin fare të qartë se kë e kishin mik e kë e kishin armik, qoftë edhe me një shikim në fytyrën e tij apo me një ecje përskaj tij. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të fillojmë ti shikojmë njerëzit me këtë shikim dhe të provojmë që ti klasifikojmë ata në bazë të kësaj që thamë duke qenë se jo çdonjëri prej nesh ka arritur atë shkallë të devotshmërisë dhe lidhjes me Allahun ashtu që të jetë në gjendje të bëjë këtë provë, porse esenca e kësaj është të kuptohet se kur zemrat janë të lidhura fort me Allahun atëherë padyshim se Allahu do ti bashkojë ato me njëra tjetrën, e rrjedhimisht edhe trupat në të cilët ato qëndrojnë. 
Pastaj, Allahu i Lartësuar na u drejtua në Kur’an me fjalët: “A nuk e meditojnë ata Kur’anin?!” (Muhamed, 24) e nuk tha: “A nuk e lexojnë?” Gjë që na jep të kuptojmë se leximi i thjeshtë i Kur’anit nuk sjell dobi po që se nuk është i çiftëzuar me meditim dhe përsiatje rreth kuptimeve që dalin prej tij. Prandaj edhe kuptimi që përmendëm më lart rreth lidhjes së zemrave ka ardhur si pasojë e meditimit të këtyre ajeteve, dhe duke pasur gjithmonë parasysh se nuk ndodh që Allahu të ketë përmendur diçka në Kur’an pa ndonjë qëllim; çdonjëri prej këtyre detajeve që ka ardhur në Kur’an në aspektin gjuhësor apo kuptimor sjell me vete një kuptim, e morëm vesh ne apo jo. 
Pastaj, Allahu i Lartësuar sërish e ka cekur në Kur’anin Fisnik se lidhja dhe bashkimi qëndron tek lidhja e zemrave e jo e trupave, në ajetin i cili flet për munafikët: “Ti mendon se ata janë të bashkuar, mirëpo zemrat e tyre janë të përçara, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë.” (Hashr, 14). Pra, edhe pse ata e luftonin Islamin së bashku, sipas asaj që duket nga jashtë, mirëpo Njohësi i të fshehtave na tregoi realitetin e asaj që ndodhetnë zemrat e tyre. 
Prej dobive që marrim nga këto ajete fisnike është që këtë bashkim ta realizojmë pikë së pari brenda familjeve tona, duke shfaqur pajtueshmëri me njëri tjetrin dhe duke udhëzuar njëri tjetrin për punë të cilat çojnë kah bashkimi i zemrave, dhe duke qenë shembull për fëmijët tanë në raportet që kemi, qoftë në raportet bashkëshortore apo me anëtarët e tjerë të familjes, farefisit apo më gjerë. Sepse, sa i përket shembullit që prindërit ua japin fëmijëve në raportet mes tyre, fëmijët janë ata që paguajnë çmimin e konflikteve mes prindërve të tyre, e për këtë kemi shembuj të shumtë nga jeta e përditshme. Zakonisht fëmijët të cilët kanë parë konflikte mes prindërve të tyre janë të prirë për të qenë më të ashpër, më të pavëmenshëm ndaj sjelljes së mirë, më të mërzitur dhe me më pak vetbesim se fëmijët e tjerë. Tek ta nuk çon shumë peshë nëse ngrisin zërin e tyre apo u bërtasin të tjerëve, për shkak se kjo është çfarë kanë mësuar nga prindërit e tyre. Ka të tillë prej tyre të cilët i godet depresioni në njërën prej fazave të mëtutjeshme të jetës. 
Pastaj në suren Fet’h, Allahu i Lartësuar tha: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt.” (Fet’h, 18) 
Prej qëllimeve më të mëdha të jurisprudencës Islame, pra zbritjes së kësaj feje së bashku me urdhërat dhe ndalesat e saj, është bashkimi dhe zbutja e zemrave të besimtarëve ndaj njëri tjetrit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” (Shura, 13) Ajetet dhe hadithet të cilat kanë ardhur në këtë kontekst janë të shumta, prej tyre: “Kapuni të gjithë për litarin e Allahut e mos u përçani.” (Ali Imran, 103); “Prandaj, frikësojuni Allahut, dhe rregulloni marrëdhëniet midis jush!” (Enfalë, 1) Të gjitha këto urdhëra kanë ardhur drejtuar besimtarëve. Përçarja mes vete është prej veprave të idhujtarëve, ndërsa besimtarëve nuk u takon të bëjnë një gjë të tillë. Prandaj prej gjërave që duhet të na shtyjnë që të jemi të bashkuar është fakti se besimtarët duhet ta kenë gjithmonë parasysh se armiqtë vazhdimisht shpenzojnë mundin dhe pasurinë e tyre për të përçarë safat e besimtarëve, sepse në esencë ata kanë të njëjtën moto: “Përçaj dhe sundo!” 
 
Pastaj Islami gjithashtu na mëson që më mirë është që kur duam të marrim një udhëtim mos të udhëtojmë vetëm, kjo është prej sunetit të të Dërguarit të Allahut ﷺ. 
Allahu i Lartësuar gjithashtu ka lënë shkaqe për forcimin e lidhjeve mes besimtarëve, ndërsa shkaku më i madh prej tyre është Njësimi i Allahut – Teuhidi. Prandaj, siç e cekëm edhe më lart, sa më e fortë të jetë lidhja mes tij dhe Allahut, dhe sa më larg shirkut e rrjedhimisht më afër teuhidit të jetë besimari, aq më e fortë do të jetë edhe lidhja midis tij dhe besimtarëve të tjetër. Pastaj, shkaku kryesor i problemeve që ndodhin brenda familjeve muslimane është se ata janë larguar nga të gjykuarit me Librin e Allahut dhe kthimi te suneti i të Dërguarit të Tij ﷺ, sepse Allahu Lavdiplotë ka thënë: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.” (Nahl, 89) Prandaj, i takon përgjegjësit të familjes që të organizojë ndeja me familjen e tij në periudha të caktuara kohore, ashtu që të kontribuohet gradualisht në edukimin e familjes dhe forcimin e lidhjes midis anëtarëve të saj. E këtu duhet ta cekim gjithashtu se gruaja luan një rol të madh në pajtimin dhe rregullimin e raporteve midis anëtarëve të familjes dhe shoqërisë.
Prej shkaqeve më të mëdha gjithashtu që ndikojnë në forcimin e lidhjes mes besimtarëve është edhe falja ndaj njëri tjetrit. Kujtojeni rastin e Ebu Bekrit, i cili pas shpifjes që iu bë për vajzën e tij të ndershme Aishen (Radijallahu anha) nga shërbëtori i tij, dhe pasi që hoqi dorë nga të shpenzuarit për të pas kësaj që ndodhi, nuk e desh më shumë se zbritja e ajetit: “A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve!?” e që ai t’ia falë shërbëtorit të tij shpifjen që bëri ndaj bijës së tij, dhe të vazhdojë me shpenzimin për të. 
Ti kujtojmë pastaj rastet e njerëzve të devotshëm të cilët ditën të falin në situata shumë të vështira, e njëri prej tyre ishte edhe kolosi i dijes, hoxha i madh Abdulaziz ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) i cili u shqua me faljen e tij kategorike ndaj kujtdo qoftë. 
Falja lë gjurmë të bukura dhe ëmbëlsi në shpirtin e njeriut. Falja e cila buron nga robi është ajo që shkakton falje që vjen prej Falësit e Mëshiruesit, e gjithmonë duke e pasur parasysh se Ai shikon në zemrat tona.
Mendimi i mirë për muslimanët është gjithashtu shkak i forcimit të lidhjeve midis tyre. Allahu i Lartësuar na urdhëroi në Kur’anin Fisnik: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (Huxhurat, 12) Sepse pasimi i hamendjes është shkaktar i përçarjes. 
Prej pasojave të këqija të përçarjes është se ajo gjithashtu i privon muslimanët nga dija. Shembull për këtë kemi rastin e Profetit ﷺ kur doli për tu treguar muslimanëve se cila ishte nata e Kadrit, por kur shkoi në xhami pa se dy grupe të muslimanëve ishin përçarë me njëri tjetrin, dhe si pasojë e kësaj Allahu bëri që ta harrojë se kur ishte nata e Kadrit. 
Përçarja tërheq pas vetes dënimin apo shkatërrimin nga Allahu. Profeti ﷺ na tregoi se: “Ata që ishin para jush u shkatërruan nga pyetjet dhe dilemat e shumta që kishin, si dhe nga përçarja që kishin në raport me Pejgamberët e tyre.” 
Gjithashtu është përcjellë në hadith se dyert e Xhenetit hapen çdo të hënë dhe të enjte, dhe në këto dy ditë iu falen gjynahet çdo muslimani përveç dy muslimanëve të cilët vazhdojnë të jenë të përçarë me njëri tjetrin. 
Pastaj ushqimi haram, padrejtësia (zullumi) dhe ndjekja e interesave personale në dëm të shoqërisë, të gjitha këto janë shkaqe të cilat ndikojnë në përçarjen dhe mospajtueshmërinë midis muslimanëve. 
Allahu e lusim për sukses dhe falje! 
Paqja e Allahut dhe lavdërimet e Tij qofshin mbi krijesën më të mirë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe të gjithë ata që e pasuan atë deri në Ditën e Gjykimit! 

Përgatiti: Hekuran Helshani 
 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja