Youtube/Tezkije
Shpëto kohën tënde!
Hekuran Helshani
 16.05.2018

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, të Gjithëmëshirshmit!

Në shtegtimin  e tij drejt ahiretit, besimtari pa dyshim se do të has në pengesa të llojllojshme. Një prej pengesave të kësaj kohe është edhe preokupimi me përcjelljen e risive informative duke mos i kushtuar vëmendje filtrimit të tyre, qoftë lajmeve, ndodhive, statuseve nëpër mediat sociale, shkrimeve të parëndësishme, fotografive, komenteve, etj … ndërsa të rrallë janë ata të cilët ia dalin me sukses që të mos bien prehë e kësaj gracke të teknologjisë bashkëkohore të cilët po e jetojmë.

Sakaq, në anën tjetër, po aq sa kemi dëme nga këto fenomene që i përmendëm më lart, kemi edhe dobi. E sheh se ajo informatë të cilën një besimtar i etur për dije do ta kërkonte me mund dhe me lodhje të madhe nëpër libra, sot me lehtësi mund ta gjejë nëpër faqet dhe mediat e botës virtuale; atë dituri të cilën një student do ta kërkonte me mund nëpër bibliotekat e qytetit, duke pasur dro se a do ta gjejë atë apo jo, sot mund ta gjejë prej një kolltuku pranë një ekrani të një kompjuteri modern të lidhur me rrjetin e internetit; ai person me të cilin dëshiroje të komunikoje, duke shpenzuar para për udhëtim, duke udhëtuar distancë të gjatë, duke shpenzuar kohë të konsiderueshme, sot mund të arrihet përmes disa klikimeve të njëpasnjëshme në telefonin tënd personal.

Mirëpo atë të cilën pata dëshirë ta ndajë me ju është se, a jemi në të vërtetë të aftë që ta tejkalojmë këtë krizë informacionesh dhe këtë bombardim të vazhdueshëm mesazhesh e shkronjash që vazhdimisht po na vërsulen pa asnjë mëshirë, dhe si ta menaxhojmë kapitalin më të shtrenjtë të cilin Zoti Fuqiplotë na e dhuroi, kohën tonë?! Jam munduar ti qasem kësaj teme fillimisht duke pohuar disa realitete të cilat, jo se nuk i dimë, por shpejt po i harrojmë:

·        Njeriu sado që të mundohet të jetë social, assesi nuk mund ta pranojë shoqërinë në çdo periudhe kohore gjate ditës e natës; ndërsa këtë po e zbaton me përpikëri secili program i komunikimit personal të cilin e kemi instaluar në pajisjen tonë telefonike, ai po ndërhyn direkt në jetën tënde private thuajse pa të pyetur fare.

·        Pavarësisht nga përparimi teknologjik, njeriu mbetet njeri, nuk mund t’i përballojë dot ofertat dhe trendet vazhdimisht në rritje të mediave sociale dhe teknologjisë.

·        Profeti  i ka urryer llafet e padobishme pas namazit të mbrëmjes (jacisë); ndërsa mediat sociale pikërisht prej këtij këndvështrimi po bëhen mjet që me të madhe po e lehtësojnë shkeljen e një tradite profetike.

·        Pavarësisht prej aftësive menaxheriale të njeriut, ai kurrsesi s’mund t’ia dalë që të barazojë midis përgjegjësive të tij dhe të jetë i suksesshëm në arritjen e synimeve dhe prioriteteve të tij nëse para syve të tij qëndron një botë kaq tërheqëse si interneti; kjo është diçka e mbjellur në natyrën e njeriut.

·        Këto media sociale po shkaktojnë humbje të respektit ndaj njëri-tjetrit, qoftë në ndeja, në rrugë apo në shkollë, ku secili ndihet i lirë ta anashkalojë bashkëbiseduesin pa u turpëruar dhe pa u ngushtuar fare, vetëm e vetëm për të shikuar “më të renë” në ekranin e pajisjes së tij "të mençur!"

·        Këto media me dhëmbët e tyre po e copëtojnë aftësinë e njeriut për meditim, vetmim me veten dhe me Zotin e tij, si dhe vetëllogaritje e planifikim për të ardhmen e tij. Do të mjaftonte vetëm kjo si sherr.

·        Keqkuptimet e panumërta të cilat vazhdimisht po ngjajnë gjatë bisedave vërtetë po zbehin raportet mes nesh.

·        E shumë shpërqendrues të tjerë të cilët nuk po mi vijnë në mendje për momentin.

 

Prandaj, a nuk është e rrugës që çështjen e pranisë së vazhdueshme të telefonave “të mençur” pranë nesh ta marrim pak më seriozisht?!... Këtu po i cek disa këshilla për të qenë më stabil dhe më mesatar në këtë çështje:

·        Vendos qysh tani që, pikë së pari, këtë çështje ta marrësh seriozisht!

·        Medito, lexo dhe diskuto me të diturit dhe me të afërmit tuaj për rëndësinë e ruajtjes së kohës, si dhe për arritjen e një zgjidhjeje afatgjate në këtë çështje!

·        Ndaloja rreptësisht vetvetes që kur je në ndonjë ndejë të dobishme me të afërmit apo me shokët ta lësh telefonin afër, si dhe leje atë në “modën e heshtur”!

·        Instalo (zbrit) në telefonin tënd programe të cilat mundësojnë fokusimin dhe përqendrimin për periudha të caktuara kohore, si dhe programe të cilat masin aktivitetin tënd në pajisjen tënde!

·        Faqet e transmetimit të informacioneve si: Facebook, Telegram, Twitter, etj. shfletoj vetëm një herë eventualisht dy herë në ditë!

·        Nëse je i kyçur në grupe sociale, atëherë lëri ato në opsionin “silent” (të heshtur) ashtu që ti të vendosësh se kur t’i lexosh apo të kalosh nëpër të rejat që janë postuar në grup!

·        Nëse je udhëheqës i grupit, vendos rregulla dhe periudha kohore se kur lejohet të postosh, duke i rishënuar kohë pas kohe që të mos harrohen!

·        Ke shumë kujdes në mesazhet që i përçon nëpër grupet sociale, sepse në parim, çdo mesazh i yti do të jetë i keqkuptuar, përpos nëse transmetohet në situata të qeta kur nuk është duke ndodhur ndonjë diskutim i nxehtë në grup, apo kur është i shoqëruar me edukatë, mosnguti, dhe respekt ndaj të tjerëve, si dhe kur në grup përçohen këshilla të dobishme; Në të kundërtën, kritikat dhe qortimet ndaj njëri-tjetrit do të jenë dyfish më të rënda në mediat sociale në krahasim me botën reale. Andaj kujdes!

Këto ishin disa këshilla pikë së pari për veten time e pastaj për lexuesin. E lus Allahu që me to t’na bëjë dobi mua dhe juve! Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Profetin e fundit Muhamedin!

 

Shkroi:

Hekuran Helshani
16 Maj, 2018.  


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja