Youtube/Tezkije
Çka morëm nga Ramazani?
Hekuran Helshani
 19.06.2018

بسم الله الرحمن الرحيم

Të gjitha lavdërimet i përkasin Allahut, Zotit të botëve! Atë e falënderojmë dhe e lavdërojmë që na e mundësoi ta arrijmë fundin e këtij muaji të bekuar të Ramazanit! E lusim Allahun që të na i pranoi veprat tona të mira, agjërimin, namazet e obligueshme dhe vullnetare, leximin e Kur’anit dhe çdo vepër tjetër të cilën Lavdiploti na e lehtësoi ta kryejmë gjatë këtij muaji të bekuar!

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, ashtu që të bëheni të devotshëm. Ditë të numëruara ...” el-Bekare, 183

Vërtetë ishin ditë të numëruara të cilat kaluan shumë më shpejt sesa që menduam. Fitoi shumë ai i cili u përkujdes për ta mirëpritur mysafirin, ndërsa humbi shumë ai që nuk e njohu atë, andaj edhe e neglizhoi, e nëpërkëmbi dhe e nënçmoi, për të mbetur vetë i nënçmuar pa e kuptuar.

Allahu i Lartësuar na e sqaroi qëllimin e agjërimit në ajetin të cilin e përmendëm më lart – “... ashtu që të bëheni të devotshëm!” – por, bashkë me arritjen e devotshmërisë, e cila s’do mend se është arritur, me ose pa dashjen tonë, duke qenë se Allahu i Lartësuar na premtoi se ai që do të agjërojë rrjedhimisht do të arrijë një hise të devotshmërisë, gjithsecili sipas pastërtisë së nijetit të tij dhe llogaritjes në shpërblimin e Allahut; por Ramazani gjithashtu na solli një mori kuptimesh tjera përkitazi me devotshmërinë. Andaj, jam munduar që në këtë shkrim të përçojë tek lexuesi disa prej dobive anësore të cilat mund t’i nxjerrim nga ky muaj i bekuar.

Prej gjërave që na mësoi Ramazani është se rruga drejt suksesit është e pakalueshme nëse nuk është e shoqëruar me bindje dhe besim. Të agjërosh tridhjetë ditë, të falësh dhjetë, njëzet, apo më shumë reqate vullnetare çdo natë të ramazanit, të preokuposh veten tënde me lexim Kur’ani dhe punë të mira, nuk është në vetvete punë e lehtë, prandaj edhe shumë prej njerëzve nuk mund t’ia dalin dot, por bëhet e lehtë sepse është e shoqëruar me besim në Allahun e Lartësuar dhe me bindje të plotë se Ai do të na shpërblejë për këtë vepër, dhe duke pasur bindje të palëkundur se këtë vepër po e bën vetëm për Të. Së këndejmi, prej mësimeve më të mëdha që mund të nxjerrim nga ramazani është se: me bindje dhe besim të pastër në Allahun, nuk ka vepër dhe sukses që s’mund të arrihet.

Prej mësimeve të këtij mysafiri gjithashtu është se mirësive ua dimë vlerën e vërtetë vetëm kur ato na mungojnë, prandaj Allahu i Lartësuar na obligoi ta përjetojmë mungesën e tyre ashtu që të jemi falënderues. Gjatë kohës kur njeriu është agjërueshëm ai patjetër do të përjetojë lodhje dhe dobësi në trupin e tij, varësisht prej angazhimit që do ta ketë, kush më shumë e kush më pak, andaj kjo vetvetiu do të ndikojë që kur pranë tryezës së tij në kohën e iftarit të vendoset uji, hurmat dhe ushqimi, ai do ta falënderojë Allahun që e ka furnizuar me këto mirësi, do t’ia kujtojë atij të varfërit, të vobektët, jetimët, skamnorët në përgjithësi, së këndejmi ai do ta vërejë se përnjëmend një gotë ujë e cila ta shuan etjen dhe ta mundëson të mbetesh gjallë, është vërtetë një mirësi të cilën çdo ditë e përjetojmë por asnjëherë nuk ia dimë vlerën e vërtetë.

Mësimi tjetër që morëm është që suksesi s’mund të arrihet dot pa durim, lodhje, peripeci dhe sakrifica. Allahu i Lartësuar, me gjuhën e Profetit të Tij na njoftoi se ai i cili e agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu do t’ia largojë atij fytyrën nga Zjarri për shtatëdhjetë vite. Allahu i Lartësuar poashtu na njoftoi se “agjërimi është i Tij, dhe Ai shpërblen për të.” Allahu i Gjithëmëshirshëm gjatë Ramazanit liron njerëz nga Zjarri ashtu siç nuk liron asnjëherë tjetër gjatë vitit. Këto shpërblime të mëdha, dhe shpërblime të tjera të cilat janë përmendur në tekstet sheriatike, kërkojnë punë, lodhje fizike, sakrificë dhe përkushtim, andaj prej kësaj mësojmë se thjesht të shpresuarit në shpërblimin dhe faljen e Allahut pa angazhim, është në kundërshtim me fenë tonë të pastër; Xhenneti është mall i shtrenjtë, prandaj për të duhet sakrificë dhe punë, e jo siç pretendojnë disa të devijuar se mjafton të besosh me zemër.

Ramazani na mësoi se për t'u gdhendur një shpirt, në çfarëdo aspekti qoftë, ai duhet të kalojë nëpër hapa dhe faza konkrete e të sistemuara, planifikim konkret për kohë të caktuar. S’ka mundësi që të mësohemi të falim namaz nate, qoftë pas jacisë apo qoftë në pjesën e tretë të natës, pa e mësuar veten që në mënyrë konstante ta veprojmë një gjë të tillë. S’ka mundësi që të bëhemi të fortë në agjërim pa agjëruar çdo ditë rresht, për tridhjetë ditë me radhë. S’ka mundësi të bëhemi lexues të mirë të Librit të Allahut nëse nuk do të lexojmë çdo ditë nga një pjesë të caktuar të Kur’anit. Rrjedhimisht, të gjitha veprat për të cilat presim shpërblim në muajin e bekuar të Ramazanit, i kemi bërë me program, me vendosmëri dhe pa asnjë luhatje se ato patjetër duhet t’i veprojmë çdo ditë, secilën në kohën e vet të përcaktuar, as më herët as më vonë. Andaj, kjo njëmend na mëson se besimtari duhet ta ketë jetën e organizuar; duke ditur se çfarë ka në plan të veprojë në secilën pjesë të ditës, javës dhe muajit, e pastaj t’i mbështetet plotësisht Allahut Fuqiplotë për realizimin e tyre; zaten kështu na mësoi feja jonë e pastër. Këtu desha ta theksojë gjithashtu se Ramazani na mëson se orari për kryerjen e punëve të dynjasë duhet t'i përshtatet orarit të kryerjes së punëve për Allahun, e jo anasjelltas. Pra, punët të radhiten rreth namazeve obligative dhe obligimeve fetare.

Mësuam gjithashtu se sa më i lartë të jetë qëllimi, aq më e nëpërkëmbur do të bëhet sakrifica. Sa të lehta na ishin bërë punët e mira në Ramazan vetëm për shkak se llogarisnim shpërblim tek Allahu për to. Vallë sa do të ishim në gjendje, pas përkrahjes së Allahut, që t’i vepronim ato punë nëse nxitësi nuk do të ishte në ujdi me vështirësitë që ato sjellin, prore duke pasur parasysh faktin se sakrifica është vetë ilaçi i hidhët pa të cilin s'mund të shijohet ëmbëlsia e shërimit, prandaj a ka mundësi i sëmuri ta refuzojë ilaçin pasi t'i bëhet i qartë efikasiteti i tij i provuar më parë!? E sa i përket arsyetimit, ai s’është tjetër veçse një vegël efektive e dembelëve. Ramazani gjithashtu na mëson se fuqia e vërtetë qëndron në fuqinë e shpirtit, gjegjësisht devotshmërinë dhe mbështetjen tek Allahu.

Mos të harrojmë se Ramazani na mëson gjithashtu se njeriu është krijesë shpejt e ambientueshme, prandaj krijimi i shprehive të reja, dhe braktisja e veseve të shëmtuara, pa dallim, janë plotësisht të arritshme, gjë kjo në të cilën kanë ardhur në përfundim edhe shumë studime shkencore bazuar në sondazhe dhe anketa nga profesionistët e sociologjisë dhe shkencëtarët. Kjo zaten duhet të bëhet edhe një prej nxitësve që na shtyjnë për ta shfrytëzuar sa më mirë Ramazanin, e veçanërisht kur kemi parasysh faktin se këtë përpjekje për ndryshimin e shprehive Allahu Mëshirëplotë na e ka lehtësuar edhe me prangosjen e shejtanëve.

Ramazani na mëson ta balancojmë shpresën për këtë dynja me shpresën për të amshueshmen, realitet që vërehet në lutjet e agjëruesve thuajse për çdo natë, kur ata thonë: “O Allahu im! Më jep të mira në këtë botë, dhe të mira në botën tjetër, dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit!” Ai na kujton se çdo e mirë e kësaj bote është e mirë për shkak se ta lehtëson të shpresuarit që të arrish në Xhennetet e përjetshme, përndryshe s’do të quhej mirësi.

Ramazani na mëson se nëse besimtarët do të merreshin me Kuranin jashtë tij ashtu siç merren me të gjatë Ramazanit, do ta përjetonin të njëjtën begati në jetën dhe besimin e tyre sikurse në Ramazan; duke qenë se madhështia e këtij muaji s'do të kishte ku të mbahej po të mos e kishte Kuranin e madhërishëm, leximin, predikimin dhe meditimin e tij. Njeriu është i gjallë dhe vigjilent në këtë dynja në raport të drejtë me angazhimin e tij me Librin e Allahut. E sa i përket sasisë, a nuk e kuptuam se njeriu pa ndonjë vështirësi të madhe mund ta bëjë një hatme të Kuranit në muaj!? Atëherë çfarë presim pas Ramazanit!?

Dhe si përmbyllje desha t’i hedhi pakëz dritë edhe faktit se: a nuk u bindëm gjatë dhjetë netëshit të fundit të Ramazanit se namazi i taravive i bëhet aq i lehtë besimtarit, saqë ai e kryen atë pothuajse si parapërgatitje për t'u falur prapë më vonë në namazin e natës; e si vallë menjëherë pas ramazanit ta braktisim (të paktën) namazin e natës pas jacisë në vend të taravive!!!??? A mos vallë na është ngritur argumenti kundër nesh që në Ditën e Gjykimit nëse do të na pyesë Allahu se pse s’je falur natën, e ne t'i themi s'kemi pasur mundësi, të na sillet si argument kundër nesh aftësia jonë për t'u falur aq gjatë në dhjetë netëshin e fundit!? Prandaj, vendos o vëlla, dhe ti oj motër myslimane, me një vendosmëri të prerë që tash e tutje asnjëherë të mos i lësh njëmbëdhjetë reqate, qoftë edhe me nga një sure të vogël, apo disa ajete, ... deri sa ta takosh ramazanin e radhës, nëse e ka caktuar Allahu Lavdiplotë! Andaj vendos qysh tani!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi krijesën më të mirë, Muhamedin, mbi shokët dhe familjen e tij të ndershme!

 

Shkroi: Hekuran Helshani
19 Qershor 2018
Burejde, Arabi Saudite.


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja