Youtube/Tezkije
Aspekte të lëshimeve dhe gabimeve në edukimin e fëmijëve (IV)
Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
 03.08.2014

(... artikulli paraprak)

13. Dallimi midis tyre

Kjo është një prej aspekteve të mangësisë në edukimin e fëmijëve. Gjen njerëz të cilët bëjnë dallim midis fëmijëve të tyre dhe nuk mbajnë drejtësi me të gjithë, qoftë për gjëra materiale apo kuptimore. Ka të atillë që këtë dallim e bëjnë në dhënien atyre ndonjë pasuri, dhuratë apo diçka tjetër; dhe ka të atillë që bëjnë dallim midis tyre në aspektin e ledhatimit dhe shakasë; e gjëra tjera pos këtyre, të cilat shkaktojnë xhelozi në gjokset e tyre mes njëri tjetrit dhe pastaj kjo dërgon në përhapjen e urrejtjes ndaj njëri tjetrit dhe mospajtimeve.

Prej aspekteve të dallimit midis fëmijëve është ajo që hasim tek disa prindër, të cilët ndonjërit prej fëmijëve të tyre më të mëdhenj i japin sasi të hollash, i blejnë makinë, e martojnë, i blejnë atij edhe një copë tokë apo ndoshta edhe i ndërtojnë diçka në të, e pastaj kur i thuhet: “Çfarë hise u ke lënë të vegjëlve dhe bijave?”, thotë: “Të vegjëlve u jap kur të rriten, ndërsa vajzat do të martohen kështu që u mjaftojnë atyre bashkëshortët e tyre si furnizim!”

S’ka dyshim se një arsyetim i tillë është i pavlerë dhe është në kundërshtim me drejtësinë mes fëmijëve. Kush është garant i këtij personi se ai do të jetojë aq gjatë sa t’i arrijë fëmijët e tij të vegjël derisa të rriten? Kush e siguron atë se ata do të jetojnë derisa të bëhen të mëdhenj? Dhe kush e siguron atë se ai do të vazhdojë me këtë pasuri dhe me këtë tempo derisa ata të rriten?!

Përveç kësaj, bijave u takon e drejta e tyre edhe nëse martohen. Prandaj, ajo që prindi duhet të veprojë kur dëshiron ti japi ndonjërit prej fëmijëve të tij diçka është që t’u japë edhe të tjerëve sikurse atij ose ta deponojë atë pasuri që t’ua japë atyre më vonë; apo ta shkruajë se këtij i ka dhënë kaq e kaq, kështu që kjo ose do të jetë borxh për prindin ndaj fëmijëve tjerë apo do t’u ndahet atyre përmes ndarjes së trashëgimisë pas vdekjes së babait; e kështu me radhë.

14. Neglizhenca ndaj martesës së djemve kur tek ata shfaqet nevoja për këtë dhe aftësohen

Disa baballarë nuk marrin iniciativën që t’i martojnë djemtë e tyre të nevojshëm për martesë,  edhe pse kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. E ky është një gabim trashanik, duke qenë se bëhet shkaktar që ata t’u futen gjynaheve apo të devijojnë, apo të përballen me fitne (sprova) dhe joshje.

15. Vonimi i martesës së vajzave dhe tregtia me to

Kjo është një prej gabimeve të shëmtuara. Disa baballarë e vonojnë martesën e bijave të tyre për shkak se vajza është mësuese apo nëpunëse dhe prej saj përfiton diçka nga dynjaja, dhe ka frikë se nëse e marton atë do t’i ndërpriten atij këto të hyra. Dhe ka të atillë që e vonojnë martesën e tyre dhe presin që t’i martojnë ato me çmimin më të lartë të mundshëm. E kjo është një shkelje e rëndë ndaj vajzave. Ndoshta kërkuesit e vajzës kanë humbur të gjitha shpresat prej saj edhe pse me gjithë dëshirë e kanë shpresuar atë, kështu që prindi i kësaj vajze merr në qafë mëkatet për bijën e tij.

16. Martesa e vajzave me ata që nuk i plotësojnë kriteret

Shumë prej njerëzve nuk e kanë synim që ta martojnë bijën e tyre për një burrë që ka fe dhe moral, por përkundrazi ai synon për bijën e tij një burrë që ka pozitë, pasuri, apo të cilin e njeh personalisht, duke mos shikuar fare në fenë dhe moralin e tij, e padyshim se kjo çështje është përbuzje dhe humbje e amanetit.

(… vazhdon)

Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani

 


Tezkije.com - Nuk lejohet shpërndarja ose/dhe ripublikimi i materialeve pa cekur burimin.
Shko tek kryefaqja